Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, pranë shtëpisë së tij në Kaçanik.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka deklaruar se i ndjeri ishte një atdhetar i dëshmuar, i cili qysh si i ri iu bashkua radhëve të UÇK-së për çlirimin e vendit dhe më pas, në liri, i shërbeu me përkushtim Kosovës nën uniformën e Policisë.
“Thellësisht i prekur nga lajmi për vrasjen në rrethana të paqarta të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, pranë shtëpisë së tij në Kaçanik. I ndjeri ishte një atdhetar i dëshmuar, i cili qysh si i ri iu bashkua radhëve të UÇK-së për çlirimin e vendit dhe më pas, në liri, i shërbeu me përkushtim Kosovës nën uniformën e Policisë. Jeta dhe vepra e tij janë shembull i përkushtimit ndaj atdheut dhe mbrojtjes së qytetarëve”, shkroi Haradinaj.
Haradinaj kërkon nga institucionet zbardhjen e menjëhershme të këtij rasti dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Lika, kolegëve të tij në Policinë e Kosovës dhe të gjithë atyre që e njohën. Kërkoj nga institucionet zbardhjen e menjëhershme të këtij rasti dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë!”, thotë më tej ai.