Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “tani është koha për marrëveshjen finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se e mirëpret takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Mirëpres mbështetjen e ShBA-së për Kosovën përmes fondit të MCC-së dhe takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin Blinken. ShBA, edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në procesin e dialogut”, ka shkruar Haradinaj.
Çka u diskutua në takimin Blinken-Osmani-Kurti?
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pritën në takim nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.
Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, ishin temë diskutimi për të cilën u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Temë diskutimi ishte edhe rëndësia e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
“Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministri Kurti ka potencuar se Kosova “është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”.
U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin.
Në takim u diskutua edhe për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor.