Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore, Forumi Intelektual E-30 dhe Listal Ideal, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se sfida e parë kryesore për vitin 2025 do të jetë dalja nga izolimi dhe sanksionet, duke u ripërshtatur me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në.
Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi se “Lista e punëve që duhet t’i kryejmë për ta rikthyer vendin kah e mbara është e gjatë,” duke shtuar se duhet të bashkohemi rreth një “Kosove Fituese” dhe ta bëjmë vendin më të jetueshëm për qytetarët e tij.
Ai paralajmëroi për një vit sfidues, duke përmendur se obligimi i të gjithëve është që të punojnë për një të ardhme më të mirë për shtetin e Kosovës.
Haradinaj foli gjithashtu për nevojën e rritjes së minimumit jetësor, duke kërkuar që paga mesatare të mos jetë nën 1,000 euro dhe pensionet të mos mbeten nën 500 euro.
Ai u angazhua po ashtu për mbështetje të ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla, dhe për ndalimin e “gjakderdhjes financiare” që ndodhet përmes tenderëve njëburimorë.
Një tjetër sfidë që ai ngriti është anëtarësimi i Kosovës në NATO, i cili është jetik për sigurinë e vendit.
Haradinaj gjithashtu kritikoi qeverisjen aktuale për dështimet në sektorin energjetik dhe për mungesën e përgjegjësisë nga ana e institucioneve, duke përmendur se një sistem gjyqësor i dobët dhe paaftësia e institucioneve mund të dëmtojnë më tej proceset e zhvillimit.