“Shqiptarët përgjithësisht, veçmas Kosova, nuk do të ishin këta që janë pa përkrahjen e parezervë e të vazhdueshme të Senatorit amerikan, Bob Dole”.
Kështu ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook, teksa ka përkujtuar përvjetorin e ndarjes së Dole-s nga jeta.
“Rruga e Kosovës deri te liria identifikohet me Senatorin Dole, i pari që njohu luftën e drejtë dhe të paalternativë të UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj.
“Ishte zëri më i spikatur dhe më me ndikim në politikën amerikane që njohu dhe mbrojti kauzat e shqiptarëve. Nder për mua që arrita ta njoh nga afër e të marr këshilla nga ai. Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, ne jemi pranë familjes Dole, institucioneve dhe popullit amerikan”, shtoi ai.
Ai ka kaluar një çerekshekulli në Senatin amerikan, ku, për disa vite, ka shërbyer si udhëheqës i shumicës.
Në vitin 1996 ka qenë kandidat i Partisë Republikane për president të SHBA-së, por ka humbur kundrejt demokratit Bill Clinton.
Ai ka kërkuar nominimin presidencial të partisë së tij edhe në vitin 1980 dhe në vitin 1988, ndërsa ka qenë kandidat për zëvendëspresident në vitin 1976.
Në vitin 1990, Dole ka udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë, ndërsa në gusht të vitit 2020, për nder të angazhimit të tij për Kosovën, busti i tij është vendosur në Prishtinë.
Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.
“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, kishte thënë Dole.