Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur skandaloz nxjerrjen e miratimit të buxhetit për vitin 2024 në Kuvendin e Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “diskriminimi që u ka bërë Albin Kurti komunave që nuk janë nën qeverisjen e partisë së tij, nuk ka ndodhur as në kohën e Rankoviqit”.
Sipas tij, me këtë buxhet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shpallur luftë qytetarëve të vendit.
“Në Kuvendin e Kosovës është nxjerrë për miratim Buxheti më skandaloz që ka pasë Kosova ndonjëherë. Me këtë buxhet Albin Kurti i ka shpallë luftë të hapur qytetarëve të këtij vendi, duke ja u pakësu edhe bukën”, shkroi ai.
Kreu i AAK-së, i ka bërë thirrje kryeministrit që ta tërheqë këtë buxhet ngase në të kundërtën do t’i sugjeroj qytetarëve të komunave të dëmtuara që ta shpallin person “nongrata”.
“Kryeministër, tërhiqe këtë buxhet sa nuk je përballur me padëgjueshmëri qytetare! Nëse nuk e tërheqë këtë buxhet, u sugjeroj qytetarëve të komunave të dëmtuara, të të shpallin “nongrata””, shtoi ai.