Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Albin Kurti të japë dorëheqje nga pozita e tij si kryeministër i Kosovës.
Veprimet e kryeqeveritarit, Haradinaj po i konsideron si antikombëtare dhe antishtetërore.
Haradinaj ka thënë se ky është shansi i fundit i kryeministrit Kurti nëse do të bëjë diçka të mirë për vendin.
“Ky njeri e ka shansin e fundit ta bëjë një punë të mirë për Kosovë. Të japë dorëheqje”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas ish-kryeministrit Haradinaj, “insistimi me çdo kusht i mbajtjes së zgjedhjeve në veri, është pjesë e këtij skenari e jo nevojë për rikthim, as të ligjit e as të demokracisë në këtë pjesë të Kosovës”.
Megjithatë, Haradinaj ka thënë se kjo nuk është i vetmi insistim i Kurtit.
“E dhimbshme. E rrezikshme. Antikombëtare e antishtetërore krejt çka po bën e si po vepron kryeministri. Atij nuk po i mjafton asociacioni, të cilin, tashmë e ka bërë akt të kryer, por po e shtyn një autonomi për veri”, tha ai, duke shtuar se “por ky skenar ‘nuk do të kalojë’ as nga Kurti e as nga sejmenët e tij”.