Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka thënë kryeministrit të vendit, Albin Kurti që “të mos e fyejë” Policinë e Kosovës dhe që t’ua plotësojë kushtet.
Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë.
Kreu i AAK-së ka thënë se Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) që kryeministri, sipas tij, po i fyen, më 24 shtator kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ka mposhtur “me turp” terroristët e sponsorizuar nga Serbia.
“Për dallim nga ti Kryeministër, që dikur i ishe dorëzuar regjimit serb gjatë luftës, pa rezistencë, pjesëtarët e Njësisë Speciale që ti sot i fyen, më 24 shtator nuk u dorëzuan, por luftuan duke i mposhtur me turp terroristët e sponzorizuar nga Serbia”, ka shkruar Haradinaj.