Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përsëritur edhe një herë se Aleanca e mbështet planin evropian për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Qëndrimin e tij, Haradinaj e ka prezantuar në mbledhjen e së enjtes të kryesisë së AAK-së, ku ndër të tjera ka thënë se kjo marrëveshje është një arritje e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhet Kosova.
“Qëndrimi i AAK në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së”, ka shkruar ai.
“Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilën ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euroatlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral”, ka shkruar tutje Haradinaj në Facebook.