Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj ka njoftuar se në Junik ka bashkëbiseduar me qytetarët për marrëveshjen për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj ka shtuar se ka diskutuar dhe rreth “mënyrës së dobët se si qeveria e ka menaxhuar këtë proces me rëndësi jetike për vendin”.
“Theksova shqetësimin tim për logjikën qeverisëse të Kurtit, që nuk përkon fare me kohën në të cilën po jetojmë, mashtrimin dhe varfërimin e vazhdueshëm të qytetarëve nga ana e tij, krizën e thellë ekonomike dhe energjetike”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së ka theksuar se “për hirë të interesave nacionale, AAK do të ofrojë përkrahjen e saj për proceset pozitive që hapin dyert tona në NATO dhe na vendosin nën ombrellën e sigurisë dhe stabilitetit”.
Haradinaj ka shtuar se një dezertim i mundshëm në këtë situatë do ta dëmtojë rëndë shtetin dhe kauzën e tyre.