Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të transparencës, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Dokumentet që kohëve të fundit kanë qarkulluar në publik, siç është propozimi franko-gjerman, apo ky i fundit për themelimin e Asociacionit, Haradinaj ka thënë se nuk janë aspak të mira për Kosovën.
Në emisionin “Five”, ajo ka thënë se kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës, ka negociuar fshehurazi, në mënyrë jotransparente.
“Escobar tha se ka diskutuar me presidenten edhe për modele për asociacionin, e gjithë kjo mostransparencë tregon se qeveria ka ecur përpara për negociata. Vetë fakti i ekzistencës dhe jo i mohimit të propozimit franko-gjerman, lë të nënkuptojë se qeveria ka negociuar fshehurazi, pa komunikuar me kuvendin, pa komunikuar me popullin”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duhet të formohet. Sipas saj, Kosova duhet ta themelojë një draft, të ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës, dhe t’ia ofrojë atë Serbisë.
Sipas saj, Asociaconi nuk duhet të jetë monoetnik dhe as nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, por duhet të jetë i ngjashëm me një OJQ.