Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka thënë se moszbardhja e fatit të tyre mbetet plagë e hapur dhe dhembje që vazhdon.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se do të qëndrojnë të palëkundur për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë e munguar.
“Sot kur e gjithë bota kujton personat e zhdukur, zemra jonë rrah me familjarët që ende presin me ankth për fatin e të dashurve të tyre. Motrat, vëllezërit e fëmijët tanë të pagjetur mbesin plagë e hapur, dhembje që vazhdon. Qëndrojmë të palëkundur, për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë e munguar! Jemi gjithmonë bashkë”, ka shkruar ai.
30 gushti është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.