Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ka vizituar Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”.
Ai vlerëson rolin e “Vatrës” në ndihmë të Kosovës dhe çështjes shqiptare, duke theksuar se lobi shqiptaro-amerikan është një ndihmë kyçe për Kosovën në të gjitha sferat.
Sipas Haradinajt, nuk është vetëm Amerika aleati kryesor strategjik, por edhe kjo federatë.
“Vlerësova rolin e Vatrës në ndihmë të shtetit të Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi në të gjitha etapat. Në takim të përzemërt e vëllazëror fola hapur për nevojën e vazhdueshme që të gjitha organizimet shqiptare në Amerikë të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha sferat. Amerika nuk është vetëm aleati kryesor strategjik, por edhe shtëpia për mijëra shqiptarë që u larguan nga vendi në kërkim të një jete më të mirë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tutje, Haradinaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është synim kryesor, sepse, siç thotë ai, kjo e bën Kosovën dhe rajonin më të sigurt dhe e ndihmon paqen në botë, gjithnjë krah ushtrive të vendeve demokratike në krye me Amerikën.