Haradinaj: Njohja është në planin e BE-së, Kurti e vendosi në qendër të marrëveshjes Asociacionin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë të dhënë të shtunën, ka thënë se njohja ndodhet në planin e Bashkimit Evropian. Ndërsa, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për qasjen e tij karshi Asociacionit, duke i bërë thirrje që të tregojë se a e pranon apo jo këtë plan, pasi sipas tij, nuk "është dhënë ende një përgjigje definitive"

I pari i AAK-së Ramush Haradinaj (FOTO: KP)

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia është në planin e Bashkimit Evropian për dialogun.

Ndërsa, ai ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që t’i tregojë Kosovës a e pranon këtë plan, pasi sipas tij, deri tani nuk është dhënë ndonjë përgjigje definitive.

Ndër të tjera, lideri i AAK-së e ka konfirmuar pjesëmarrjen e partisë së tij në takimin e thirrur nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, për Asociacionin, që pritet të mbahet më 31 janar.

Ai ka kritikuar Kurtin, duke thënë që “përmes qasjes së gabuar e ka sjellë Asociacionin në qendër të marrëveshjes me Serbinë”.

Haradinaj ka theksuar se amerikanët po angazhohen në mënyrë strategjike që t’ia bëjë më të lehtë Kurtit themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj, të shtunën e 28 janarit, ka dhënë një intervistë për KosovaPress, ku ka thënë se në planin e BE-së apo të ashtuquajturin tashmë plani franko-gjerman, është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë.

“Është njohja në dokument. Këtë dokument që e kemi para vetes, është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë. E vetmja gjë që mungon është bilateralja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Pra, Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, bashkëpunon me Kosovën si shtet i pavarur me të drejta të barabarta mes dy vendeve. Kjo na hap perspektivën për partneritet, për paq dhe ecim përpara”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ai ka theksuar se drafti i planit të BE-së për dialogun është i njëjti në tavolinë tash e sa kohë, dhe i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të japë një përgjigje se a e pranon dokumentin, pas dhënies së dritës së gjelbër nga Serbia.

“S’ka ndryshime në draft fare, nuk ka asnjë ndryshim. Ky draft është i njëjti që Kurti e ka që sa kohë, i njëjti është në tavolinë. Deklaratat e tij janë kapak konfuze, s’e di çka po thotë dhe i ndërron deklaratat çdo ditë. S’ka asgjë të kësaj natyre, është një dokument dhe nuk janë që ndërrojnë, pasi kur iu paraqiten palëve ato mbesin… Ai ia ka borxh Kosovës t’ia tregojë vlerësimin e tij, pasi kështu bëjnë njerëzit seriozë”, ka vijuar ai.

Derisa po fliste për takimin e ftuar nga Ambasada amerikane, i pari i AAK-së ka thënë se qëllimi është që Kurti t’i ikë fajësisë për themelimin e Asociacionit.

“Kemi marrë këtë ftesë nga Ambasada, për të diskutuar për Asociacionin. Së pari i shprehim mirënjohje ambasadorit Hovenier për angazhimin e madh të tij për të ruajtur qetësinë stabilitetin në vend. Nuk mund të flasë se si do të shkojë takimi, çfarë do të thuhet, atë ia lë nikoqirit. Ne si Aleancë e kemi pranuar ftesën dhe seriozisht do të kontribuojmë në këtë takim”.

“Kjo është veç një angazhim ta quaj strategjik që për t’ia bërë Kurtit më të lehtë që të përbijë Asociacionin, t’i ikë Kurti fajësisë për të thënë ma bënë këta, e më bënë ata. Kurti është njeri i gabuar për Kosovën, në këtë kohë ai po i rrit pasojat për vendin. Amerika po e bën zjarrëfikësin, ata po mundohen të sanojnë dëmet e Kurtit”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj: Të gjitha ngjarjet e fundit janë qasja, logjika dhe agjenda e gabuar e Kurtit kundër Kosovës, në shërbim të Serbisë e Rusisë

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për qasjen, strategjinë dhe agjendën e tij.

Madje, kritikat kanë ardhur deri në atë pikë që i pari i AAK-së ka thënë se “Kurti po shkon në rrugë qorre me një strategji guerile kundër amerikanëve”, gjë e cila, sipas Haradinajt, është parë edhe në ndodhitë e fundit në vend.

“Të gjithë kemi rënë në ndikim të diskutimeve qorre të kryeministrit Kurti, është dashur të  arrihet marrëveshja finale, nuk është dashur të shkojë me planin për targat 21-ditësh në veri, i cili plan për targat krijoi probleme e incidente, shkaktoi largimin nga instiucionet e Koosvës, e ka kthyer nevojat që të drejtat e serbëve në Kosovë të mbrohen me Asociacion. Kjo është ajo që Kurti na ka sjellë deri sot. Kurti është dashur të mos shkojë rrugës së vet qorre, e strategjisë së tij guerile kundër amerikanëve në veri, është dashur ta përkrahte propozimin amerikan në veri që sot nuk do të kishim pasur barrikada, nuk do të kishim pasur dalje prej pune, nuk do të kishim pasur nevojë për zgjedhje dhe gjithë energjia e bashkësisë ndërkombëtare, do të ishte fokusuar te marrëveshja. Duhet të ketë marrëveshjen finale me njohjen, që në përmbajtje pra e ka njohjen Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkaq, më pas ka renditur disa argumente që tregojnë qasjen e gabuar të Kurtit në dialog, dhe ka kërkuar edhe llogari nga ai për të kuptuar se pse e bëri Asociacionin qendër të marrëveshjes së planit të BE-së për dialogun.

“Ai duhet të japë llogari pse ka shkuar rrugës së gabuar në veri, pse nuk do të përcjellë planin amerikan, pse nuk i ka lejuar amerikanët ta ndihmojnë Kurtin e Kosovën pa u bërë qendër asociacioni. Pse nuk na thirr Kurti të diskutojmë, por na thirr Ambasada. E gjithë kjo që po ndodh në Kosovë është rezultat i agjendës së tij kundër Kosovës, agjendës së Kurtit kundër Kosovës. Agjenda e tij i ka dhënë efektet e para me planin për tabela që dështoi, u tërhek në fund me marre, i ka dhënë efektet me barrikadat që ky nuk mund t’i hiqte pastaj, por është dashur të negociojë dikush për të. E tash i jep efektet të tjera kur Ambasada e Amerikës na thërret për një temë që është e tij. Të gjitha këto janë qasja e gabuar e tij, logjika e gabuar, agjenda e gabuar e tij kundër Kosovës në shërbim të Serbisë e Rusisë”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj: Pse Kurti duhet të mbajë koeficientin sekret?

Haradinaj ka thënë se do ta rrëzojnë Qeverinë Kurti. Ani pse opozita nuk i ka numrat në Kuvend, ai ka theksuar se do të gjenden të gjitha formulat, për ta dërguar në shtëpi kryeministrin Kurti.

Madje, ai u ka bërë thirrje deputetëve të pushtetit që të vlerësojnë se a ia vlen të vazhdohet me këtë qeverisje.

I pari i AAK-së rrëzimin e Qeverisë Kurti e përmend duke folur për Ligjin e pagave, për të cilin, ende nuk dihet vlera e koeficientit.

“Pse duhet të mbajë Kurti sekret koeficientin? Nuk është i Kurtit ai koeficient, por i njerëzve që i shërbejnë këtij shteti. Pse baba Kurti duhet të mbajë koeficientin sekret? Pse ky zotëria sillet kështu me popullin e vetë?. Koeficienti nuk guxon të jetë nën 130 euro, të kalkulohet me inflacion dhe të gjitha duhet të jetë 140, por nëse bie nën 130 euro është problem”, ka thënë Haradinaj.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika