Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me vendimin e Ministrisë së Arsimit për librat, duke thënë se pushteti në vend që t’i sigurojë tekstet falas po i maltreton prindërit e nxënësit me procedura të panevojshme.
Haradinaj ka thënë se edhe vitin e kaluar MAShTI dështoi njësoj me tekstet shkollore.
“Pushteti në vend që t’i sigurojë tekstet falas, i maltreton prindërit e nxënësit me procedura të panevojshme. Modelin e ndarjes së parave për tekste shkollore e kishin provuar vitin e shkuar dhe kishin dalë të dështuar. Pse e përsërisin dështimin prapë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka akuzuar qeverinë se po merren me veprime populiste, duke thënë se po tenton të shpërqendrojë vëmendjen nga problemet reale.
“Në vend që ta rrisin cilësinë në arsim e të mos mbetemi në fund të listës së PISA-s, këta sajojnë armiq imagjinarë në mesin e mësuesve e sindikatave. Në vend që t’i rrisin pagat e mësimdhënësve, merren me veprime populiste, se mos po shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale. Por, ato po grumbullohen përditë dhe po bëhen të papërballueshme.
Prandaj, numri i mësuesve dhe nxënësve që e kanë braktisur Kosovën, është alarmant.
Nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit falas”, ka vijuar Haradinaj.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot në një konferencë për medie ka njoftuar se MAShTI do t’ua transferojë paratë prindërve edhe sivjet, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Ky është viti i dytë radhazi që Ministria do t’u ndajë mjete në llogaritë e tyre bankare prindërve që ata t’i blejnë vetë librat shkollore për fëmijët e tyre në shkollë fillore.
“Edhe sivjet, tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen si në praktikën e vitit të kaluar duke subvencionuar prindërit”, tha Nagavci në një konferencë për medie.
Ajo tha se prindërit mund të fillojnë të aplikojnë online qysh nga e mërkura e 14 gushtit në platformën E-Kosova për rimbursim.