Në 25-vjetorin e betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gllogjan kundër forcave serbe, që ndryshe njihet Epopeja e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i cili vetë kishte marrë pjesë në luftim, ka thënë se kjo është ditë e fitores.
Ai në manifestimin qendror në Gllogjan, tha se Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj ranë për lirinë e Kosovës.
“Ne e njohim këtë ditë si ditën e fitores, e vërtetë se Gazmendi e Agroni kanë qenë luftëtarë të hershëm, ata veç kishin vite lufte krah Shkëlzenit, Dautit dhe luanit, kanë qenë bashkë, Hima ishte i ri ishte në fillim. Këta tre u flijuan në një betejë që mori kuptim, kuptimi i kësaj beteje është fitorja, pra është me luftu, me shpëtu e me fitu”, ka thënë ai.
Kjo betejë, sipas Haradinajt, dha mesazh të qartë se shqiptarët do të luftojnë deri në flijim.
Ai tha se beteja ishte mjaft e vështirë për shkak të fuqisë së armikut.
“Në Gllogjan ishim pa zgjidhje tjetër pos me luftu. Të fillohet një betejë e tillë i kishte vështirësitë e veta. Armiku ishte shumë më i përgatitur, i përkrahur, kishte përparësi. Serbia me skenar të vetin e kishte atë që një epror i tyre u tha atyre në terren ‘pastrone terrenin’ ishte porosia që të mos linin askënd gjallë”, ka thënë ai.
Haradinaj u shpreh se fitorja në Gllogjan u shndërrua në shpresë për të gjithë shqiptarët, kështu duke u thyer miti i Serbisë.
“Fitorja e kësaj dite, u bë shkaktar që të shpresojmë e besojmë më shumë se fitojmë. Miti i Serbisë dhe i forcave serbe u thye këtu. Ajo që e madhështoi këtë ditë është mendja e zemra e shqiptarëve që me vazhdu këtë ditë, që të nesërmen këtu Dauti dhe bashkëluftarët ishin nikoqirë dhe pritën plot djem e vajza të reja që erdhën nga të gjitha anët e Kosovës dhe kombit, që nga ajo ditë lufta vazhdoi deri në fitore”, tha ai.
Haradinaj tha se në Dukagjin të gjithë luftëtarët u trajtuan njëjtë e me respekt.