Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me raportimet e fundit se disa figura nga partitë opozitare janë kërcënuar me jetë si dhe janë planifikuar atentate ndaj tyre.
Haradinaj tha se kërcënimet duhet të merren seriozisht nga organet e rendit dhe se në faza të ndryshme edhe në adresë të tij ka pasur kërcënime me jetë, por që sipas tij nuk i kanë bërë publike për të mos e alarmuar opinionin publik.
“Në faza të ndryshme na ka rastisur edhe neve, edhe mua personalisht, që të përballeshim me kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime edhe me jetë. Edhe atëherë kur informatat për kërcënime na kanë ardhur në rrugë zyrtare, apo edhe nga burime të tjera, nuk e kemi alarmuar opinionin publik. E para që të mos i dëmtonim hetimet dhe e dyta që të mos shkaktonim ngarkesë të panevojshme tek opinioni publik”, ka thënë ai.
Tutje Haradinaj tha se nuk do duhej që këto lloj kërcënimesh të përdoreshin për ta larguar vëmendjen e popullit sipas tij nga problemet reale që i ka Kosvoa.
“Do të ishte politikisht jo korrekte dhe e dëmshme madje, sikur përfshirja e opinionit publik në këtë temën e kërcënimeve ndaj figurave publike, të shfrytëzohej për t’i hequr nga vëmendja e popullit, qoftë edhe përkohësisht, temat e interesit popullor, siç janë; problemet ekonomiko-sociale e ato politike, apo edhe defektet e mëdha në politikën e jashtme të vendit”, ka thënë ai.
Ndryshe, këto komente Haradinaj i bëri pas raportimeve se disa anëtarë të LDK-së, duke përfshirë kryetarin Lumir Abdixhiku, janë kërcënuar me jetë dhe se është planifikuar atentat ndaj tij.
Kanosjen ndaj Abdixhikut dhe të tjerëve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.