Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka prishur marrëdhëniet me Shqipërinë, duke i ndalur pensionet për luftëtarët shqiptarë. Sipas Haradinajt, historia do ta njohë Kurtin si “njeriun që e ka rekrutuar armiku”.
Kreu i AAK-së e ka akuzuar Kurtin se është i rekrutuar nga Serbia, teksa ka përmendur, siç i quan ai, dëmet që i ka shkaktuar Kosovës.
Haradinaj ka kritika edhe për lënien e minatorëve pa paga tash e tre muaj, ndërsa kërkoi që Kurti të ndëshkohet përmes votës.
“Kurti i ka prishur marrëdhëniet skajshmërisht me Shqipërinë, u ka ndalur pensionin luftëtarëve nga Shqipëria që ka kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, me arsyetimin që e marrin pensionin e Shqipërisë. Kurti nuk ka lënë asnjë element që do t’i forcojë shqiptarët pa i dëmtuar. Vetëm shikoni ka shkuar në Paris me të gjithë situatën e vet a me ato shpenzime ka mundur të paguajë pagat e minatorëve të Trepçës. Para katër vitesh e ka gjetur me status të zgjidhur kurse tani i ka lënë pa paga. Kurti na ka lënë pa status energjetik. Në Kosovë ka vetëm një detyrë për të gjithë ne që e duam vendin është ndryshimi, pra me votë të largohet një kryeministër që është i rekrutuar i Serbisë”, ka thënë Haradinaj, raportoi të dielën EO.
Kreu i AAK-së ka thënë se zyrtarët qeveritarë kanë kërkuar nga Serbia që ta dinë numrin e saktë të ish-ushtarëve të UÇPMB-së.
“Ai ka qenë në mision te armiqtë, e kanë ndihmuar për t’u ngritur në pozitë. Edhe financimet i ka të dyshimta, ka transaksione nga Serbia. Një zyrtar i Qeverisë Kurti i ka bërë kërkesë zyrtare Serbisë për numrin e saktë të pjesëtarëve që UÇPMB-së. I ka pyet a na tregoni numrin e pjesëtarëve. Nuk ka mundësi ajo ditë të ndodhë rastësisht, ai është i rekrutuar nga Serbia”, ka thënë Haradinaj, teksa kritika ka edhe për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore. Këtë, Haradinaj e quan torturim. “Ai i ka torturuar prindërit me tekste shkollore, me tekste falas i ka detyruar t’i blejnë, ka fëmijë që kanë mbetur gjithë vitin pa tekste. Si po i trajton mësimdhënësit, policinë po e poshtëron në mënyrën më të keqe me orare të gjata. Ne dikur kemi pasur pagën minimale mesatare më të lartë se rajoni, sot Shqipëria po shkon me pagën minimale 900 euro, Kosova ende e ka 170 euro. Më tregojnë sindikalistët se përpara statusin tonë jemi krenuar ndërsa tani kudo që shkojmë jemi ulët dhe na shohin sikur viktima”, u shpreh Haradinaj.
Vizitat në Ujman, Haradinaj i quan tendencë për t’i mashtruar qytetarët përmes një videoje. Vendimet e Kurtit për Haradinajn janë mision, teksa insiston ta quajë si i rekrutuar nga Serbia.
“E gjithë kjo mungesë e parasë i detyron njerëzit të lëshojnë vendin. Historia do ta njohë si njeriun që e ka rekrutuar armiku. Mashtrimin e ka armë, me mashtrim mundohet të mbërrijë. Shkon në Ujman më shumë policë se ata që lahen aty, shkon në veri për të pirë kafe, sheh më shumë policë sesa njerëz. Për një video mundohet t’i mashtrojë qytetarët, po ta donte veriun do t’i donte minatorët, Trepça është fuqia jonë, ky nuk e përkrah por e bënë një fotografi në Ujman. Sjellja e tij nuk është padituri por është mision i tij sepse është i rekrutuari i Serbisë”, u shpreh Haradinaj. /EO