Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me tri vrasjet që ndodhën në më pak se një javë në Kosovë.
Në lidhje me këtë, Haradinaj ka fajësuar Qeverinë e Kosovës duke e kritikuar për qasje të gabuar.
Sipas tij, siguria publike po cenohet nga mungesa e vizionit të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
“Vendi është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë. Krahas qasjes së gabuar politike të qeverisë në veri të vendit e cila ka reflektim serioz edhe në siguri, lloje të ndryshme të krimit e sidomos ato të rënda siç janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armët pa leje, prezenca e madhe e narkotikëve, janë disa nga aktivitetet e kundërligjshme të cilat po e cenojnë seriozisht jetën e qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Për Haradinajn, siguria publike në vend tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura, të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët.
“Mungesa e vizionit dhe përkushtimit të qeverisë e MPB, ngritë dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë”.
Sipas tij, “mungesa e vizionit dhe përkushtimit të qeverisë e MPB”, ngrit dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim “zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë”.
“Vrasjet e ditëve të fundit, përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu”, ka vijuar ai.
Sipas tij, “shfaqja e krimineleve me maska siç ishte rasti i mbrëmshëm në komunën e Skenderajt ku mbeti i vrarë një qytetar dhe u plagosën tre të tjerë, nxjerr në pah pafuqinë e qeverisë si dhe guximin e grupeve kriminale për të vepruar”.
“Objektivisht qytetari ka mbetur i pambrojtur, i papërkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria. Kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Mocioni është zgjidhja”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për “përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend” duke theksuar se mocioni është zgjidhja.
Ndryshe, një 39-vjeçar ka vdekur të enjten në Skenderaj si pasojë e të shënave me armë zjarri, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka thënë se vrasja ka ndodhur në fshatin Runik të Skendarajt dhe, përveç viktimës, në vend të ngjarjes janë plagosur edhe tre persona të tjerë.
Ky rast e çon në tre numrin e vrasjeve të raportuara në javën e fundit në Kosovë.