Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës në lidhje me arrestimin e drejtorit të KEK-ut, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se nuk është besnikëri që të merret një pozicion i gabuar në lidhje me këtë rast.
“Për të ecur përpara, duhet të jeni të gatshëm në sakrificë, udhëheqësit që janë të zotë e dinë. Nëse dikush nga radhët e tua ka shkelur diku ku nuk duhet, duhet t’ia tregoni vendin”, ka thënë Haradinaj.
Ai i është drejtuar me një kërkesë kryeministrit Kurti, duke i thënë të marrë anën e ligjit dhe drejtësisë për këtë rast.
“E lus kryeministrin të marrë anën e ligjit dhe të drejtësisë. I lus institucionet e Kosovës të mos bëjnë këtë gabim dhe të marrin pozicionin e gabuar”, ka vijuar ai.
Ndryshe, të mërkurën, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka njoftuar se drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.