Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës të dielën në Gjakovë, ku u ndaluan katër “pelegrinë” serbë, përfshirë një toger dhe një ushtar i ushtrisë serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka lavdëruar veprimin e policisë, duke theksuar se Serbia nuk ka vend në Kosovë.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës dhe të gjitha uniformat shtetërore janë dëshmuar si mbrojtës të vendit dhe të denjë për respekt të lartë.
Haradinaj ka kërkuar që pagat e pjesëtarëve të Policisë të dyfishohen, duke theksuar se kjo nuk është thjesht një kërkesë, por një detyrim i shtetit ndaj tyre.
“Rritja e pagave, dyfishimi i tyre, nuk është vetëm kërkesë, është detyrim i shtetit ndaj kësaj kategorie esenciale të Republikës së Kosovës,” ka shkruar ai në Facebook.