Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë e Kosovës me rastin e Ditës së Mësuesit, duke thënë se në këtë seancë po mungon qeveria, në vend se të vijë e të tregojë se çfarë ka ndërmarrë që ta përmirësojë pozitën e mësimdhënësve.
Në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, kreu i AAK-së ka thënë se ata që duartrokasin duke uruar Ditën e Mësuesit e në anën tjetër përkrahin ndryshimet ligjore që t’u largohen vitet kontributdhënëse mësimdhënësve, janë hipokritë.
“Ne jemi hipokritë që rrahim shuplaka për veteranët e arsimit, përkrahim ndryshimet ligjore t’u heqen vitet kontributdhënëse. Jemi hipokritë, po ju rrejmë me shuplaka, po përgatiten ndryshime në ligj me u mohu vitet kontributdhënëse”, ka deklaruar Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka thënë se Qeveria përmes arrogancës së numrave po punon në ndryshimin e kontratave individuale të mësimdhënësve.
“Kjo po ndodh në parlamentin e Kosovës, të dashur mësues po ju rrejmë me këto shuplaka. Qeveria Kurti nga këta që rrehen shuplaka për ju. Po punohet prapa shpine me arrogancën e numrave me ndryshu kontratën individuale, pra me ju cenu të drejtat që i kanë të njohura me ligj, nuk është në rregull kjo pafytyrësi e jona në këtë ditë” – ka vijuar ai.