Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrat e Belegut, Irzniqit dhe Poterqit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se 29 marsi e kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës, të cilët edhe pse të paarmatosur nuk u kursyen nga barbarët.
“29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët dhe vazhdojnë të mbesin plagë që kullon në shpirtin tonë”, ka thënë Haradinaj.
Po ashtu, ai ka kujtuar edhe rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga zona e Dukagjinit, Pashtrikut dhe Drenicës.
“Kujtojmë po ashtu rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës”, ka vijuar ai.
Ai ka kërkuar që të vazhdojë angazhimi institucional e shoqëror për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Sakrifica e tyre dhe e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun tonë dhe të vazhdojmë angazhimin si shoqëri dhe shtet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta”.
Të mërkurën janë bërë 24 vjet që nga Masakra e Belegut.
Më 29 mars të vitit 1999 forca të shumta policore, ushtarake serbe, kishin kryer një masakër në fshatin Beleg të Deçanit, me ç‘rast serbët vranë dhe masakruan 49 shqiptarë.
Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer në rajonin e Dukagjinit nga forcat ushtarake e policore serbe, të cilat më 1999 filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Irzniqit dhe Belegut, pasi një ditë më parë ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Nga ajo ditë fati i 33 të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjerë të Komunës së Deçanit, mbetet ende i pazgjidhur.
Edhe pse ekipe të hetuesisë, së pari nga UNMIK-u, pastaj edhe nga EULEX-i, ishin marrë me rastin, duke mbledhur dëshmi të shumta, qoftë deklarata të dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të prezantuara edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, por edhe autopsinë e bërë të kufomave të krimit, ende nuk ka asnjë të arrestuar.