Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që të mos eksperimentohet më me shtetin.
Ai thotë se në këtë mënyrë po ndihmohet Rusia me agjendën e saj për të krijuar vatra të tjera të konfliktit.
“Duhet të jemi seriozë, për shkak se vendi ynë po zmbrapset prej të rinjve. Para 2 vjetësh i kam kërkuar Kurtit, Osmanit dhe Konjufcës, shkoni në Uashington merruni vesh, shkoni në Uashington merruni vesh. Nuk guxojmë të bëjmë eksperimente të tjera në proces përpos të merremi vesh me Amerikën. Ne po e ndihmojmë Rusinë me agjendën e vet që të destabilizojë dhe të krijojë vatra të tjera konflikti në dëm tonin”, tha Haradinaj para mediave.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit ka ardhur nga Serbia, teksa shton se të njëjtit janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata.
Në një prononcim për “The Guardian”, ministri i këtij dikasteri ka thënë se një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë serbe.
“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj. Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia”, ka thënë Sveçla.
Sveçla tha se ministria që ai udhëheq ka ndarë provat me ambasadat dhe agjencitë perëndimore.