Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shkarkimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është “detyrë kombëtare”.
“Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni za, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare!”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Kurti duke thënë se “ç’është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron “dosllarët” e krimit!”.
“Ç’është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron “dosllarët” e krimit! Ç’është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato i’a zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me “borën e parvjeme”!”, ka shkruar ai.
Reagimi i Haradinajt erdhi pasi kryeministri Kurti përmes një videoje tha se ka besim tek ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pas zhvillimeve të sotme në ministrinë përkatëse – MINT.
Kurti, përmes një videoje të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ka komentuar aksionet e Policisë së Kosovës në tri lokacione, ku u arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, ministri kjo e udhëhequr nga, Rozeta Hajdari, dhe i arrestuar i tretë është një biznesmen nën dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore.
Në këtë video, Kurti ka thënë se qeverisja e tij prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj.
Sipas tij, humbësit i gjen tek “elita e vjetër dhe korruptuar politike”, te gjykatësit, prokurorët dhe të mediat e keqpërdoruara. Ndërsa, fitues janë të gjithë qytetarët e Kosovës, sipas Kurtit.
Ndryshe, gjatë kësaj të premteje janë arrestuar tre të dyshuar, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmen.
Më herët, Prokuroria Speciale ka njoftuar se të pandehurit, Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Lexo dhe: “Afera për vajin dhe grurin”, ndalohen për 48 orë tre të dyshuarit
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’, thuhet në njoftim.
Pas këtyre zhvillimeve, ministrja Rozeta Hajdari ka mbajtur një konferencë për media duke filluar nga ora 18:00.
Ministres Hajdari i është kërkuar që të jap dorëheqje, por e njëjta në konferencën për media është shprehur se nuk sheh asnjë arsye për të bërë këtë veprim.
Lexo dhe: Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje, këtë e them me siguri të plotë
“Nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe siguri të plotë. Nuk shoh asnjë arsye apo dyshim te zyrtarët, të cilët janë të ndalur sot”, ka thënë Hajdari.
Tutje ministrja Hajdari, ka thënë se pret nga organet hetimore të mos e cenojnë sigurinë hetimore.
Sipas saj, dokumentet që janë marrë nga policia janë të klasifikuara si sekrete shtetërore, duke theksuar se policia kërkesën për pranim-dorëzim të provave e ka bërë kundërligjshëm.
“Prokuroria Speciale po bën hetim MINT mirëpret çdo hetim për rastin e Rezervës Shtetërore, ani pse është gjithçka në përputhje me ligjin. Si ministre organet hetimore pres të mos cenojnë sigurinë shtetërore, sepse gjatë hetimeve dokumentet që janë marrë si prova nga policia, janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa policia s’ka paraqitur certifikatë siguruese MINT i siguron te gjithë qytetaret se rezervat i kemi trajtuar sipas legjislacionit në fuqi, nuk dyshojmë në asnjërin nga zyrtaret tanë të ndaluar për 48 orë…”, ka thënë Hajdari.
“Policia e njësisë hetuese s’ka prezantuar ceritfikatë të sigurisë sekrete. Pra kërkesa e Policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, ka thënë ajo.