Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, sot ishte në Gjakovë dhe në Klinë.
Haradinaj ishte në fshatin Smolicë të Gjakovës për të marrë pjesë në përurimin e lapidarit të të rënëve nga ky fshat.
“Lapidari i ngritur, përjetëson kujtimin për heronjtë: Agron Rama, Sejdi Rama, Naim Lataj, Florim Sejdiu, Sokol Nuzaj, Demush Lataj, Ali Demaj, Avdyl Hasanaj, Burim Hamza, Afrim Nuza dhe Musa Balija”, ka shkruar i pari i AAK-së.
Ndërsa në Grabanicë të Klinës, ai ka nderuar jetën dhe veprën e bashkëluftëtarit të tij, njëherit edhe eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shaqir Krasniqi, i cili sipas Haradinajt, ishte rrëmbyer nga forcat serbe 20 vjet më parë.
“Përkujtimet e ngjarjeve dhe personazheve që e bënë historinë tonë kombëtare, përpos krenarisë, na motivojnë edhe më shumë për të ecur para, për ta bërë Atdheun vatër të ngrohtë, të sigurt e të zhvilluar, me mirëqenie për brezin tonë, e me të ardhme të ndritur për fëmijët tanë”, ka thënë kreu i partisë opozitare.
Ai është shprehur se përpjekjet tona shekullore për liri, kanë njohur angazhimin, veprimtarinë, rezistencën, e mbi të gjitha luftën për liri dhe heroizmin e pashembullt të shqiptarëve.