Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj ka njoftuar se është takuar me emisarin amerikan, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit.
“Në një takim të hapur dhe të sinqertë diskutuam zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së ka falënderuar emisariin amerikan Escobar për angazhimin e tij dhe të administratës amerikane “tash e shumë dekada dhe inkurajova për thellim të marrëdhënieve dhe që mbështetja ndaj Kosovës të shtohet”.
“Arritjet e Kosovës, nga vitet e 90-ta, lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi kanë ndodhur në partneritet të përbashkët, Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët”, ka potencuar Haradinaj.
Mes tjerash Haradinaj ka theksuar se “do të punojmë ngushtë me ShBA-të që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë pasi që është jetike për paqe të qëndrueshme në rajon”.