Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është pritur në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Përmes një postimi në Facebook Haradinaj ka bërë të ditur se në takim e ka shprehur përkushtimin e tij për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tutje në postimin e Haradinajt, thuhet se marrëveshja gjithëpërfshirëse mund të arrihet vetëm me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Haradinaj ka falënderuar emisarin amerikan siç ka thënë për “angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën”.