Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Hardinaj, ka reaguar pas marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet hyrje-dalje, duke thënë se marrëveshjet që zbatohen një nga një “janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën”.
Sipas tij, interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje reciproke.
Po ashtu, ai ka thënë se kjo mund të arrihet vetëm më përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”, është shprehur Haradinaj.
Ndërsa, ai ka deklaruar se tani është koha e duhur që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës.
“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërkaq, vendimi për dokumente hyrëse-dalëse sipas tij, është dashur të zbatohet më herët.
“Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Po ashtu, sipas tij dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, “e arritur qysh në vitin 2011”, është një shenjë e mirë e vetëdijesimit se marrëveshjet duhet të zbatohen.
Ndërsa, lajmin se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet hyrëse-dalëse për qytetarët e Kosovës, e ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.