Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në planin evropian përfshihet edhe njohja e Kosovës, teksa ka thënë se AAK-ja do të votojë pro kësaj marrëveshjeje.
“Besoj që pasi ka dakordim për planin, për aneksin për implementim, është në përfundim puna. Pra, pritet që në ditët që vijnë shumë shpejt që të arrihet dakordimi edhe për aneksin për implementim. Nuk qëndron konstatimi se a ka njohjen, e ka njohjen marrëveshja, në planin ndërkombëtar. Pra Serbia, e njeh Pavarësinë e Kosovës, të drejtat si shtet i pavarur, i barabartë në bazë të kartës së OKB-së planin ndërkombëtar”, ka thënë Haradinaj.
Në një intervistë për EO, ai ka thënë se koha është faktor kyç për Kosovën, e nëse marrëveshja arrihet brenda këtij muaji, do të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta në veri, ashtu siç është paraparë.
“Me rëndësi për Kosovën është që të fitohet në kohë për shkak se nëse marrëveshja arrihet gjatë këtij muaji atëherë do të mund t’i mbajmë zgjedhjet e rregullta në veri ashtu siç është paraparë”, ka vijuar ai.
Ndërkaq, dy partitë opozitare, PDK e LDK kanë dalë kundër përmbajtjes së këtij propozimi të BE-së.