Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po merr pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka ritheksuar marrëdhënien e veçantë midis Kosovës dhe SHBA-së.
Ai ka thënë se historia e Kosovës është e lavdishme, ashtu sikurse miqësia me SHBA-në.
“Në Lutjet e Mëngjesit, tash e shumë vite takoj miq amerikanë por edhe miq të tjerë ndërkombëtarë. U ndjeva mirë të filloj ditën në një ngjarje, ku marrin pjesë personalitete nga më shumë se 90 vende të botës. Tregimin për Kosovën duhet ta bëjmë ne, historia jonë është e lavdishme sikurse miqësia e veçantë me Amerikën”, shkroi ai.
Së fundmi, Haradinaj është takuar me senatorin Mike Rounds në Washtington.
Ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se marrëdhënia bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi për siguri dhe mbrojtje kanë përparuar falë angazhimit të miqve amerikanë.
“Një nga ata është senatori Mike Rounds, me të cilin ai zhvilloi sot një takim pune në Washington. Roli i senatorit si anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe i Komitetit për Ushtrinë në Senatin amerikan është një ndihmë e madhe për të fuqizuar më tej këto dy fusha me rëndësi për Kosovën”.
Në takim, Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e vendit të tij në procesin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO.