Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi në mënyrë që të ketë përfaqësim dhe mbrojtje të të drejtave qytetare dhe kombëtare.
“Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, këtë të diel, më 17 dhjetor 2023 në Serbi, i bëj thirrje bashkëkombasve shqiptarë në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në vendbanimet e tjera në Serbi, që të dalin masovikisht në mënyrë që të ketë përfaqësim dhe mbrojtje të të drejtave qytetare dhe kombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai thotë se duke e ditur diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në të gjitha format nga regjimi serb, do të jetë shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh në Parlament, në mënyrë që të mbrohen interesat shqiptare dhe të njoftohet opinioni për padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve atje.