Si “thikë pas shpine” është cilësuar audio-incizimi i shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari me Simiqin.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj nuk e ka konsideruar vetëm këtë pjesë si thikë pas shpine nga ana e Qeverisë Kurti. Ai rendit disa prej tyre.
“Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender 23’, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe, përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare”, ka shkruar ai.
Haradinaj vlerëson se situata e shkaktuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë seancës të së enjtes paraqet një alarm për përshkallëzim të situatës. Ai thekson se veprimet e Qeverisë do t’i kushtojnë Kosovës në lidhjet më të ngushta të saj.
“Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë tij. Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngul thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë. Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, ka deklaruar ai.
Deputetë të pushtetit e ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u përleshën mes vete në seancën e së enjtes gjatë kohës kur kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, fliste për situatën në veri.
Nisi me një fotografi të vendosur nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, fotografi kjo e kryeministrit Albin Kurti e shoqëruar me një animacion të personazhit vizatimor Pinokio në foltore. E njëjta u shqye nga zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, veprim i cili nxiti veprimin e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku.
Ky i fundit spërkati me ujë kryeministrin, veprim të cilin tentoi ta ndalonte ministri i Financave, Hekuran Murati. Lushtaku nuk kurseu as zëvëndëskryeministrin Bislimi, por më pas, ky i fundit goditi me shishe Lushtakun për të filluar kështu një përleshje, e cila mblodhi në mesin e sallës një pjesë të deputetëve.
Më vonë, u bë e ditur se deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, është ftuar nga Prokuroria për intervistim pas skenave të dhunës në Kuvendin e Kosovës. Me të, edhe deputeti Hajdar Beqa.
Se kush e nisi e pse erdhi deri te përleshja, pushteti e PDK fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën në Kuvend.