Ish-zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi, ka folur për pritjet e takimit të radhës që do të mbahet në Ohër ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Harxhi në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ketë një dialog teknik dhe jopolitik për sa kohë nuk vendos në tryezë qeveria apo ekipi negociator që diskutimi duhet të jetë politik.
Po ashtu, ajo ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për momentin nuk shihet i gatshëm për nënshkrimin final mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj që ky është një nga problemet e Qeverisë Kurti, sepse e ktheu debatin, diskutimin, dialogun në çështje teknike, e do të duhej të ishte mbajtur në nivel politik. Megjithatë, kjo do të vazhdojë për sa kohë nuk do të kemi një nënshkrim final. Mund të kemi një nënshkrim nga një përfaqësues tjetër, por unë nuk mendoj që Vuçiqi është i gatshëm të bëjë diçka të tillë për momentin. Kjo do të zvarritet për disa muaj. Mendoj që Vuçiqi ka marrë një mesazh të fortë për sa i përket barrikadave dhe problemeve të tjera, që ai nxjerr sa herë që ka konflikt të hapur apo debat të brendshëm, në lidhje me të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë ajo.
Sipas saj, marrëveshja që do të nënshkruhet mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të ketë njohjen reciproke.
“Ai vetë është në situatë të pafavorshme sa i përket forcave politike apo opozitës brenda në Serbi, dhe natyrisht i frikësohet kësaj situate. Ka një situatë të palakueshme në të gjithë rajonin. Ka zgjedhje pothuajse në të gjitha vendet e rajonit dhe paqëndrueshmëri politike në Maqedoni e Veriut, në Shqipëri, në Mal të Zi, që priten zgjedhje presidenciale dhe natyrisht kjo është në disfavor të nënshkrimit nga Vuçiqi. Gjithsesi shoh që kjo marrëveshje do të nënshkruhet, jo kjo, por duhet të jetë një marrëveshje që në startin e saj e ka marrëveshjen me njohje reciproke, sepse kjo nuk e ka njohjen reciproke”, ka thënë Harxhi për Telegrafin.
Ndër të tjera, ajo ka thënë se Kosova do ta marrë konfirmimin për liberalizimin e vizave.
“Tashmë kemi një votim që është bërë në Parlamentin Evropian. Kosova do ta marrë më 1 janar të 2024 liberalizimin e vizave. Kjo në njëfarë mënyre do jetë karota që i jepet Kosovës. Dhe duke i dhënë këtë karotë, pastaj Bashkësia Ndërkombëtare do të fillojë që t’i kërkojë favoret e tjera”, është shprehur Harxhi.
Por, sipas saj, aspirata e madhe e Kosovës për Këshill të Evropës do të duhej të diskutohej ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Por për momentin pavarësisht dëshirës së madhe, Kosova vetëm mund të avancojë për aspiratën e saj për sa i përket Këshillit të Evropës. Ajo është diçka që do të duhet të diskutohet shumë ngushtë me ShBA-në”.
Mirëpo, Harxhi ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt, pasi Shqipëria nuk është në dispozicion që të mbështetës fuqishëm Kosovën në Këshill të Evropës.