Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se dy cilësi janë evidente, të cilat e bëjnë të ndryshme nga marrëveshjet e mëhershme, marrëveshjen e arritur në Ohër në mes Kosovës dhe Serbisë.
Hasani ka thënë se bëhet fjalë për prezencën e Bashkimit Evropian dhe ekzistencën e një pike referimi.
“E para është krijuar një mekanizëm që siguron dhe mbikëqyr zbatimin, dhe se nuk ka ekzistuar përpara. Ai mekanizëm është Bashkimi Evropian, sepse është raportua dhe është futur në sistemin juridik të BE-së, sa i përket kësaj çështjeje, domethënë i ka sanksionet e qarta”, ka deklaruar ai, gjersa ka shtuar se “E dyta, deri tani nuk ka pasur një pikë referimi dhe palët kanë mundur të interpretojnë, edhe sot i interpretojnë siç duan. Por, tanimë ajo nuk vlen për shkak se, ajo çka thotë garantuesi i saj në këtë rast BE-ja me mbështetjen e SHBA-ve…ai do të tregojë saktë për këto dispozita, të cilat edhe në Serbi interpretohet në mënyra të ndryshme”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, Hasani ka thënë se detyrimet e stipuluara tanimë janë përligjësuar nga BE-ja si ndërmjetësues i të dyja palëve, gjersa ka cilësuar mosnënshtrimin e marrëveshjes si arsye për konsum të brendshëm politik.
“Detyrimeve që janë të stipuluara aty, ato janë përligjësuar me deklaratën e atij që është ndërmjetësues. Dhe forca juridike nuk derivohet prej asaj nëse është nënshkruar, sepse për shembull, ekzistojnë procese verbale dhe nëse vije puna te kontestohet diçka, aty vërtetohet shumë lehtë. Ajo që nuk e nënshkruan, Vuçiqi ose pala jonë në arsyetimin se si e ka dhanë për preambulë dhe pjesë të tjera që nuk qëndrojnë, ato janë për konsum të brendshëm politik..relevanca është tërësisht politike”, ka deklaruar Hasani.
Se a ka legjitimitet marrëveshja e Ohrit, Hasani ka thënë se një gjë e tillë varet nga pesha juridike e saj. Ai ka theksuar se përmbajtja e marrëveshjes dhe ajo e planit të zbatimit mbeten të qarta.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, është përmbajtja ajo që dikton peshën juridike të një marrëveshjeje përveç kur marrëveshja në mënyrë shprehimore e thotë një diçka tjetër, ose kur rregullat e ligjit ndërkombëtar në segmente të caktuara me çështje të caktuara determinojnë një formë strikte, siç është rasti i marrëveshjeve që duhet të shërbejnë si provë, pra të GJND-së, ato duhet të jenë të regjistruara në sekretariatin e OKB-së…por komunikimi ndërkombëtar nuk kufizohet.”
“E thotë edhe vetë Konventa e Vjenës…kjo nuk do të thotë që fuqia juridike e marrëveshjeve të lidhura në forma të tjera nuk prodhon efekte juridike. Në këtë kuptim gjanat janë të qarta dhe çështja e përmbajtjes është gjithashtu shumë e qartë, përmbajtja e marrëveshjes dhe e planit të zbatimit”, ka deklaruar ai.
Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.
BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.
Ndër të tjera, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti e pranoi që marrëveshja me Serbinë ka Asociacionin, ai e përmendi nenin 10, në të cilin, sipas tij, flitet për këtë gjë.