Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani,ka thënë se Kosova ka humbur mundësi historike që nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës sot, teksa i ka bërë thirrje qeverisë që të angazhohet për t’i përmbushur zotimet e dhëna.
Në një postim në rrjetin social “X”, Hasani ka thënë se përveç përmbushjes së zotimeve të dhëna, qeveria duhet të angazhohet që në të ardhmen e afërt të mbahet edhe një tjetër mbledhje e Komitetit të Ministrave të KiE-së.
“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës të premten, është mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formësimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike”, ka shkruar Hasani.
Failure to decide on Kosova's membership at today’s Ministerial of the @CoE is a missed historic opportunity for Kosova to have a deserved seat at the table and a stronger voice in shaping a united, democratic Europe.
It is necessary that the Government of Kosova acts promptly… pic.twitter.com/87enyYs9xR
— Igli Hasani (@IgliHasani) May 17, 2024
Ai ka thënë tutje se të gjithë duhet të veprojnë me shpejtësi “për ta përmbushur atë që i kemi borxh popullit të Kosovës”.
“Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për t’i përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash”, ka vijuar ai.
Ndryshe, dje, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Kjo është bërë e ditur në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.
Ajo ka njoftuar se në Kushtetuese do ta çojnë një draftstatut të përgatitur nga vetë qeveria dhe jo draftin evropian.
Sipas letrës së Gërvallës, qeveria po punon në një draftstatut të inspiruar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).