Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit për dënimin e dy ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, me nga tre vjet burg nën akuzat se kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ka reaguar ish-kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, i cili e ka cilësuar Kosovën si “vend të çudirave”.
Në reagimin e tij përmes Facebook-ut, ka thënë se me këtë vendim të gjykatës çdo rrënim i objekteve pa leje do të cilësohet keqpërdorim i pozitës zyrtare.
“Nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si “keqpërdorim detyre”. Kosova vend i çudirave. Vetingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, ka shkruar Haskuka në Facebook.
Të martën Gjykata Themelore e Prizrenit ka njoftuar se, Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit dhe Jetmira Vrenezi, ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë njëherësh deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, janë dënuar me nga 3 vjet burg, dhe me nga 2.000 euro gjobë për rastin e rrënimit të aneksit të “ABI Çarshisë”, më 19 dhe 21 korrik 2019.
Sipas Gjykatës, të akuzuarit nuk i kanë respektuar ligjet e aplikueshme dhe udhëzimet administrative. Ndërkaq, katër të akuzuarit e tjerë janë liruar nga akuzat.