Haxhi Shala deklarohet fajtor

Haxhi Shala të hënën në Hagë ndryshoi deklarimin rreth fajësisë, ai tani pranoi fajësinë sipas marrëveshjes që ka arritur me Prokurorinë.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë i intervistuar nga Prokuroria dhe hetuesit dhe nuk isha i njoftuar plotësisht se çka bëhet fjalë dhe për këtë arsye jam deklaruar i pafajshëm. Tash jam i fajshëm më atë se çka jam pajtuar”, tha Shala.

Atij iu lexuan pikat e aktakuzës së datës 10 korrik 2024 që janë përfshirë në marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Për të gjitha këto pika, Shala u deklarua fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara kësaj, Shala tha se është i vetëdijshëm për marrëveshjen dhe është plotësisht dakord si me përfitimet e po ashtu edhe pasojat që dalin nga ajo.

“Unë jam i vetëdijshëm për këtë marrëveshje, e kuptoj shumë mirë sepse është në gjuhën shqipe. Kam komunikuar edhe me avokatin tim dhe plotësisht jam dakord me këtë marrëveshje. I kuptoj edhe pasojat edhe të gjitha”, tha Shala.

Marrëveshja për pranim fajësie- Shala dhe Prokuroria janë dakorduar për caktim të dënimit me 3 vjet burgim

(Përditësuar, ora 13:03)- Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Haxhi Shala, në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ishin dakorduar për caktimin e dënimit prej 3 vjet burgim për Shalën.

Kjo gjë u tha nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila shtoi se ZPS-ja dhe Shala ishin dakorduar që përveç kësaj, ZPS-ja të propozojë që të akuzuarit t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ju keni rënë dakord për caktimin e një dënimi prej 3 vitesh burgim dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë- në të thuhet që në shkëmbim të fajit nga ju ZPS-ja do t’i rekomandojë trupit gjykues një burgim prej tre vitesh burg dhe i rekomandon që zotit Shala t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim të DhSK-së”, tha gjykatësja.

Në pajtim me marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Mappie Veldt-Foglia tha se ZPS-ja pajtohet që të tërheq pikën 1 të aktakuzës. Këtë gjë e konfirmoi edhe Shala.

Shala u njoftua që në rast që aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij i hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Rrjedhimisht, Shala nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.

“I kam kuptuar dhe pajtohem me atë që jam marrë vesh me avokatin dhe avokati me Prokurorinë. Në qoftë se vendimi është mbi tri vite unë do ta apeloj dhe në qoftë se është tri vite e poshtë, jo”, u përgjigj Shala.

Shala gjithashtu tha se me vullnetin e tij të lirë është arritur kjo marrëveshje dhe s’ka pasur asnjë kërcënim apo shtytje për pranim të fajësisë. Ai pohoi se i kupton pasojat e kësaj marrëveshjeje dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar në një gjykim të rregullt.

Shala: Jam konsultuar me avokatin dhe kemi rënë dakord për marrëveshjen për pranimin e fajësisë

(Përditësuar, ora 12:58)- Haxhi Shala gjatë seancës ku po shqyrtohet marrëveshja për pranimin e fajësisë, ka thënë se është konsultuar me avokatin e tij dhe ka rënë dakord për këtë marrëveshje.

Shala pohoi se me avokatin i ka diskutuar kushtet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshja është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po është e vërtetë. Për gjithçka jemi konsultuar me avokatin dhe jemi rënë dakord për këtë marrëveshje”, tha Shala.

Ai konfirmoi se i kupon kushtet e marrëveshjes dhe i ka lexuar në gjuhën që e kupton.

Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia i lexoi pikat për të cilat, sipas saj, Shala ka rënë dakord në marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Ajo tha se i pandehuri ka pranuar se ishte pjesë e një grupi që kërkonte të nxiste dëshmitarin 1 që të mos jepte dëshmi para DhSK-së përmes premtimit për përfitim. Tha se në veçanti, anëtarët e grupit duke vepruar nën drejtimin e Shalës i shkuan dëshmitarit dhe i thanë atij që ai duhet ta tërhiqte dëshminë para DhSK-së.

Sipas saj, gjatë vizitës më 12 prill 2023, Januzi në vijim të vizitës së parë i kishe transmetuar dëshmitarit 1 një ofertë që Haxhi Shala dhe të tjerë do ta ndihmonin atë në qoftë se ai do të tërhiqte dëshminë.

Mappie Veldt-Foglia tha se para dhe pas çdo vizite në prill të 2023-ës, Shala komunikoi dhe u koordinua me anëtarët e tjerë të grupi për ndërveprimet e tyre me dëshmitarin 1.

Lidhur me këtë, Shala pohoi se kupton dhe për këtë marrëveshje ka rënë dakord.

Më pas, gjyqtarja lexoi një pjesë të aktakuzës së 10 korrikut, ku thoshte se më 5 prill 2023, Shala thirri Bahtijarin dhe ai e thirri Januzin. Pastaj, pasi u konfirmua se dëshmitari 1 ishe në shtëpi, ajo tha se Bahtijari shkoi tek shtëpia e tij ku i tha që Shala e ka kontaktuar kohëve të fundit dhe i kishte thënë që dëshmitari 1 duhet ta tërhiqte dëshminë.

Sipas gjykatëses, paragrafi 11 i aktakuzës thotë se Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit dhe eci tek një veturë aty afër ku po e prisnin dy burra dhe një person i tretë në ulësen e shoferit.

Paragrafi 14 deri në 18 sipas saj thotë se Shala dhe Januzi mbeten në konkat dhe u lidhën përmes telefonit së paku 4 herë në mes 6 prillit dhe 9 prillit 2023. Ajo shpjegon se pak pasi kishe folur në telefon me Shalën, Januzi kishte shkuar në shtëpinë e dëshmitarit 1 duke i thënë këtij të fundit që Shala dëshiron të dijë se çfarë kishte vendosur ai që nga vizita e Bahtijarit.

Ajo vazhdoi tutje se Januzi e kishte njoftuar dëshmitarin 1 duke i thënë se Shala dhe persona të tjerë do ta ndihmojnë dëshmitarin 1 në qoftë se do ta tërhiqte dëshminë. Sipas saj, aktakuza thotë se dëshmitari 1 ka thënë se nëse atij i jepen 200 mijë euro do të arrihej ujdia.

Mappie Veldt-Foglia thotë se aktakuza tregon se dëshmitari 1 nuk konfirmoi apo mohoi se ishte dëshmitar.

Sipas gjyqtares, të gjitha këto pika janë pjesë e aktakuzës së 10 korrikut 2024, të cilat janë përfshirë në marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Shalës dhe ZPS-së.

Më pas, ajo lexoi paragrafin 5 të marrëveshjes, ku tha se Prokuroria dhe Shala janë pajtuar që këta paragrafë janë të vërtetë dhe të saktë.

“Haxhi Shala dhe Prokuroria pajtohen që nëse Prokuroria do të bënte paraqitjen e provave, atëherë faktet dhe akuzat në paragrafët të cilët sapo ua lexova 8, 9, 11, 14-18 dhe 24 do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe se janë të vërtetë dhe të saktë dhe nuk kundërshtohen nga Haxhi Shala”, tha Veldt-Foglia.

Si rrjedhojë, Shala konfirmoi marrëveshjen e tij me ZPS-në sipas deklaratës që dha gjykatësja.

Ajo tha se sipas marrëveshjes, Shala pranon akuzën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, duke marrë pjesë në grup se paku midis 5 prillit dhe 12 prillit 2023 e cila është e ndëshkueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe konkretisht me nenet 17, 21, 28, 35 dhe 401 (2) (5) dhe nenet 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit për DhSK-në.

Ajo gjithashtu tha se Shala ka pranuar fajësinë edhe për akuzën e frikësimit gjatë procedurave penale me anë të premtimit për dhuratë ose çfarëdo forme tjetër të fitimit./Betimi per drejtesi

Shija e redaktorit

“I kemi bërë detyrat tona të shtëpisë”, Rama nga Brukseli:...

Shqipëria hap sot grup-kapitullin e 6 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për “Marrëdhëniet e jashtme”. Në konferencën e tretë ndërqeveritare që mbahet në...

Ali Ahmetit pritet t’i dhurohet çelësi i Prishtinës

Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama do të pret në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI), Ali Ahmeti. Në njoftim thuhet se...

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

Të fundit nga rubrika