Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka dorëzuar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese, si përgjigje ndaj “pretendimeve të opozitës” kundër Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se kjo është hera e dytë që opozita e konteston këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se sipas saj, Qeveria ka adresuar të gjitha kërkesat e mëparshme të Gjykatës lidhur me këtë çështje.
“Urojmë që Gjykatës nuk do t’i duhen sërish 16 muaj për të nxjerrë një Aktgjykim”, ka shtuar Haxhiu.
Ajo ka potencuar se qëllimi kryesor i këtij ligji është të mos amnistohen ata që kanë keqpërdorur detyrën dhe janë pasuruar padrejtësisht përmes politikës.