Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Albin Kurti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
Ajo ka theksuar se megjithëse Lëvizja Vetëvendosje mund të formojë qeverinë, partitë opozitare sipas saj, nuk kanë mundësinë ta formojnë qeverinë e re.
Në një deklaratë për media të martën, Haxhiu theksoi se emri i kryeministrit është tashmë i qartë dhe se “Albin Kurti do të jetë kryeministër.”
Ajo gjithashtu ka shtuar se qeverinë mund ta formojë Lëvizja Vetëvendosje, por kjo mund të ndodhë edhe në bashkëpunim me partitë opozitare.
“Ajo që dihet tani për tani është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e personave tjerë që do të mbajnë pozicione tjera qoftë në qeveri apo në Kuvendin e Kosovës. Ajo që dihet pra, është që kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti e qeveria e ardhshme shumë shpejt do të votohet. Qeverinë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje, por nuk mendoj se mundet opozita ta bëjë si e vetme”, ka thënë Haxhiu.
Seanca e parë për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të mbahet më 15 prill.