Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka ftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial që të kthehen në vendet e punës dhe të “mos mendojnë vetëm për interesa personale”.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë s enuk vlerëson që ngritja e pagave ka ndikuar në rritjen e punës së gjykatësve dhe prokurorëve.
“Ne shpesh kemi protestuar bashkë para gjykatave prokurorive për mënyrën e trajtimit të rasteve nga sistemi i drejtësisë. Edhe kabinetit qeveritar i janë ulur pagat por kjo nuk ka ndikuar në punën tonë përkundrazi. Andaj i ftoj KGjK dhe KPK të kthehen në punët e tyre, mos të mendojnë vetëm për interesa personale”, ka thënë ajo.
Siç ka thënë ajo, Ligji i Pagave që ka shkuar në Kuvend, i rrit pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nuk mund të mbahet një ligj që është në shpërputhje me ligjin.
“Siç e dini në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, janë shfuqizuar dy Ligje dhe qëllimi i tyre është që të bëhet reforma në administratën publike dhe të mos bëhet dallime në paga”.
“Ligji pos që bën nivelizim e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorë, ky vendim e shfuqizon vendimin arbitrar të ish-Qeverisë Haradinaj. Ish-kryeministri Haradinaj ia kishte rritur vetës pagën dhe nuk e ka menduar se mund të ketë probleme në të ardhmen”, shtoi Haxhiu.
Në këtë konferencë të thirrur kundër dhunës, ministrja e këtij dikasteri ka potencuar se dhuna në familje dhe në baza gjinore është një ndër prioritetet kryesore të saj.
“Dhuna në familje dhe në baza gjinore për mua është top prioritet. Për mua është shumë më e rëndësishme se një vendim qe qeveria e ka marrë dje. Hartimi i politikave kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore. Nesër fillon fushata 16 dite e aktivizimit, fushata fillon në bibliotekën ndërkombëtare, do të mbahen rreth 200 aktivitete, takime me gra dhe vajza etj”, shtoi ajo.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë përgjatë mbledhjes qeveritare se është marrë vendim që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para datës se hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017, për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, ka thënë Kurti.
Më 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.
Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë.
Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, paga vjetore e një gjyqtari dhe prokurori në Kosovë varion nga 15 deri në 30 mijë euro.
Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.