Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët thanë se “zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë”.
Lidhur me këtë, Haxhiu ka thënë se Albin Kurti nuk është kryeministër në detyrë, “dhe se sot është data 4 mars dhe jo 4 shkurt”.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se “fakti që i referohen si kryeministër në detyrë flet shumë”.
“Le t’i tregojë dikush KPK-së dhe ZKPSH-së, që Kryeministri, Albin Kurti nuk është kryeministër në detyrë dhe se sot është data 4 mars dhe jo 4 shkurt.
Fakti që i referohen si kryeministër në detyrë flet shumë”, ka reaguar Haxhiu.
Në reagimin e tyre, KPK dhe ZKPSH theksojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas “shijeve, interesave dhe nevojave ditore të kryeministrit në detyrë”, duke shtuar se deklaratat e tij bien ndesh me parimet e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Sipas tyre, qëndrimet e Kurtit përbëjnë vetëm “pikëpamje dhe botëkuptime personale” për sundimin e ligjit, ndërsa në realitet, zbatimi i tij është detyrim për të gjithë, përfshirë kryeministrin, Qeverinë dhe të gjitha institucionet e vendit.
“Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit”, thuhet në reagimin e tyre.
KPK dhe ZKPSH e konsiderojnë të dëmshme qasjen e Kurtit, duke theksuar se deklaratat e tij dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe synojnë të minojnë përpjekjet e Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimit të ligjit.