Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, për projektligjin për caktimin e çmimeve tavan për produktet bazë ka thënë se është ligj antikushtetues.
Haxhiu, ndër të tjera, ka thënë se kryeministri Kurti ka premtuar në fushata elektorale se do të largojë TVSh-në në produkte bazike.
“Kam pritur që Albin Kurti të sjellë projektligjin për TVSh-në. Ai ka pasur premtim elektoral heqjen e TVSh-së për produktet bazike”, ka thënë Haxhiu.
“Kemi dëgjuar Kurtin duke mbajtur ligjërata me terminologji”, gjersa ka shtuar se këto “çmime tavan vetëm ndihmojnë të lëvizin kapakun e kokës te qytetarët”.
Ai ka thënë se duhet të ketë ulje të çmimeve, e jo çmime tavan.
Sipas tij, me anë të këtij projektligji fitojnë vetëm kompanitë e mëdha.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se në vitin e kaluar një ton pelet ka qenë 180 euro, kurse tash 740 euro.
“740 euro një ton pelet. 180 euro vitin e kaluar, kemi katërfishim të çmimit të peletit, ndërkohë çmimi i prodhimit është nën 200 euro, po flasim për një fitim prej 560 euro për çdo ton peleti që shitet”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë thirrje që të votohet ky ligj sa më herët që është e mundur që të mos ketë abuzime me çmime.