Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar.
Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se Kurti i ka ftuar prokurorët që të vijnë në zyrën e tij që ta japë dëshminë, porse prokuroria s’po duket e interesuar në këtë.
“Sistemi i drejtësisë kurrë s’ka qenë më i lirë nga ndikimi politik, por më duket të them se asnjëherë më politik s’ka qenë. Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na dëmtuar, për të na frikësuar, nuk kanë arritur që të na ndalin…Çfarë ka prezantuar prokuroria para gjykatës në mënyrë që ta detyrojë kryeministrin Kurti të japë dëshmi, pasi ai ka vullnet të japë dëshmi…Këto janë veprime komplet politike me qëllime që tashmë dihen dhe i kemi thënë disa herë”, tha Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se nëse prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë duke thënë se Kurti po refuzon të japë dëshmi, atëherë e ka mashtruar gjykatësin dhe është gënjeshtër.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e ka ftuar Kurtin që nga dhjetori të dëshmojë për çështjen e rezervave shtetërore. Por kryeministri në detyrë ka thënë se dëshminë mund ta japë nëse prokurorët i shkojnë në zyrë. Më 19 shkurt, Prokuroria Speciale kërkoi urdhër gjyqësor për paraqitjen e Kurtit në seancë.