“Manifesta14, në botën e artit, vendosi në globin e saj, hartën e Kosovës mikpritëse, Prishtinën e të rinjve”.
Kështu është shprehur përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas vizitës së saj në mbyllje të edicionit të 14-të të Manifestës.
Ajo ka theksuar se Manifesta, për më shumë se tre muaj, në Prishtinë dhuroi qytetarëve e vizitorëve, aktivitete të bukura nga kultura të ndryshme.
“Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane, për 100 ditë në Prishtinë, dhuroi aktivitete të bukura artistike, me kultura të ndryshme nga mbarë bota, magjepse, e pasuruar me shpirtin rinor që mbanë kryeqyteti jonë”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, Manifesta, e nisur më 22 korrik, zyrtarisht i ka dhënë fund edicionit të 14-të.
Përderisa në hapje të saj ishin mbi gjashtë vizitorë, ky numër deri në fund, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, ka shkuar në mbi 800 mijë.
Diskutimin në konferencën përmbyllëse, e nisi drejtoresha e Manifestës Hewdig Fijen, ajo kërkoi që të ketë përkrahje nga institucionet përkatëse edhe në vazhdim.
“Duhet gjendur një mënyrë për ti ruajtura të gjithë këto në një vend. Pastaj, rilindja, fabrika e tubave do të shpresojmë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në ato hapësira. Jam tepër krenare për punën dhe gjithë kolegët që kemi bashkëpunuar”, ka thënë Fijen.
E kryetari i kryeqytetit, Përparimi Rama, u shpreh i lumtur për faktin se arriti që të përjetoj një ngjarje kaq të veçantë në kryeqytet.
“Ishte privilegj shumë i veçantë që kryeqyteti i ja hapi dyert manifestës dhe përgjatë këtyre 100 ditëve përjetuam një Prishtinë të larmishme me aq shumë ekspozita, me aq shumë punëtori, programe dhe evente të përzgjedhura të cilat jo vetëm që na gjallëruan jetën kulturore e artistike por e vendosën Prishtinën në qendër të mediave botërore, në fushën e artit dhe kulturës”, ka theksuar Rama.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani u shpreh se e gjithë ngjarja ka pasur një efekti pozitiv në zhvillimin e shoqërisë.
Mbyllet edicioni i 14-të i Manifestës me mbi 800 mijë vizitorë