Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka thënë se mosbindja e Kushtetueses është politike.
Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Haxhiu ka theksuar se interesi i përgjithshëm është mbi atë individual.
“Venecia e ka arsyetuar ndërprerjen e mandatave për shkak se kësisoj mund të mbërrihet reforma në drejtësi dhe për këtë qëllim mund të ndërpritet. Gjykata Kushtetuese thotë unë nuk bindem. Si ka mundësi që Gjykata me u lëshu në vlerësime të tilla politike, se a bindet apo nuk bindet”, ka thënë ajo.
Për këtë projektligj Haxhiu ka thënë se kanë qenë 3 drafte që janë përgatitur nga këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Njëri draft që thotë që s’ka probleme me Kushtetutën ky ligj, i dyti thotë që vetë çështja e mandateve përfaqësimi i avokatit të popullit është problem dhe i treti deri sa kanë arritur në një opinion që këta e kanë dashur, kanë insistuar që ta kenë atë, pastaj e kanë nxjerrë një vendim të tillë”, shtoi ajo.
“Ne kemi vlerësuar që mund të qëndrojë ai ndryshim që e kemi bërë, problemi i vetëm qëndron me mënyrën se si e ka justifikuar çështjen e lejimit të mandatit deri më 2023”, ka thënë Haxhiu.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.
Sipas një njoftimi për media të premten, kjo gjykatë ka bërë të ditur, se pas vlerësimit të ligjit bazuar në kërkesat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial. Duke numëruar konstatimet për mospërputhshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që “të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.
Palët që kishin parashtruar kërkesën ishin ankuar edhe se ndryshimi i përbërjes zvogëlon proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, e sipas pretendimeve, vendimmarrja e një institucioni të pavarur kushtetues do të nënshtrohej ndaj vullnetit politik të shumicës në Kuvend, që do t’i zgjidhte anëtarët joprokurorë të Këshillit.
Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë Kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë.
Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.
Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se përbërja, proporcioni në mes të anëtarëve prokurorë të përzgjedhur dhe joprokurorë, me garancitë për të shmangur “politizimin”, ky ligj s’ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kushtetuesja ka thënë po ashtu se përzgjedhja e anëtarëve joprokurorë me shumicë të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë në Kuvend, s’është në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata ka sqaruar që kompetenca e Avokatit të Popullit për të zgjedhur anëtarë joprokurorë të KPK-së s’është në përputhje me Kushtetutën.
Ky ligj ka paraparë po ashtu që vendimmarrja të bëhet me pesë vota nga shtatë anëtarët, me kushtin që në shumicë të jetë të paktën një votë e një anëtari joprokuror.
Kjo, sipas Kushtetueses, s’është në përputhje me pavarësinë kushtetuese. Në aktgjykim thuhet se “vendimmarrja në KPK, do të mund të kushtëzohej nga vota e njërit nga anëtarët joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë”.
Gjykata ka arsyetuar shpalljen e pavlefshme të ligjit me “vështirësitë e zbatimit të tij”.