Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të hënën se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmëri për të dëshmuar për rezervat shtetërore, duke propozuar tri data për intervistim nga Prokuroria Speciale, bazuar në agjendën e tij.
Haxhiu ka theksuar se Kabineti i Kryeministrit ka ofruar dy data të mbetura për realizimin e kërkesës dhe se sipas saj, nuk ka asnjë arsye që Prokuroria ta refuzojë këtë kërkesë.
“Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim, përkundrazi siç e keni parë kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri që kërkesa e tyre të realizohet. Kabineti i kryeministri i ka propozuar tri data se kur mund të realizohet kjo kërkesë bazuar në agjendën e kryeministrit Kurti, dhe tashmë gjatë kësaj jave kanë mbetur dy data që kabineti i kryeministrit i ka propozuar Prokurorisë Speciale. Nuk ka asnjë arsye që prokurorët, të cilët thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, të refuzojnë kërkesën e kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri Kurti”, është shprehur Haxhiu.
Ajo ka theksuar gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë.
“Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duan të flasim. Arsyeja se pse nuk duan të flasin, dhe mendoj që është e rëndësishme se për këtë të pyetet Prokuroria Speciale…Nuk është diçka e pazakontë, nuk është diçka e paligjshme, prandaj nëse Prokuroria Speciale është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit, lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kabinetit Kurti. Prokuroria speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta bllokuar punën tonë, për ta dëmtuar LVV-në dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë”, ka theksuar ajo në konferencë për media të hënën.