Trupi i Faton Hajrizit, të arratisurit nga Kosova që u vra nga Policia e Serbisë, mbetet akoma në këtë shtet.
Të paktën nuk ka deklarime zyrtare për nisjen e procedurave që trupi i tij të sillet në Kosovë.
Televizioni ka nisur pyetje në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por ky institucion akoma nuk ka kthyer përgjigje.
Gjithsesi, sipas njohësve të rrethanave juridike, ekziston një praktikë përmes së cilës trupi i tij mund të kthehet në Kosovë.
“Kthimi i trupit të Faton Hajrzit në Kosovë do të kryhet ndërmjet një komunikimi zyrtar në mes zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe mendoj që kjo formë e komunikimit do të kthej trupin e Faton Hajrizit në Kosovë sepse ne nuk kemi marrëveshje reciproke të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me Serbinë”, ka thënë avokati, Asdren Bytyqi.
“Nuk do të ndikojë apo nuk do të ketë implikime për shkak se nuk kemi marrëdhënie diplomatike të drejtpërdrejta, mirëpo kjo do të bëhet përmes Eulex-it ose Kryqit të Kuq dhe besoj që shumë shpejt kufoma e tij do të vijë në vendlindje”, ka thënë njohësi i sigurisë, Avni Islami.
Jo nga Ministria e Jashtme, por ajo që drejton Ministrinë e Drejtësisë, ka reaguar me një shkrim në Facebook.
Albulena Haxhiu ka thënë se informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj sipas saj, nuk mund të dihet me siguri se a është vrarë Hajrizi.
Ajo ka ngritur pretendime se gisht në disa prej arratisjeve të fundit nga burgjet në Kosovë kanë grupe kriminale të Serbisë, që janë të lidhura me pushtetin në Beograd.
“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës. Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cënimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”, ka thënë Haxhiu.
Por kjo deklaratë kritikohet nga avokati, Asdren Bytyqi. Ai e sheh këtë se si tendencë të Haxhiut për ta zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia që institucionet kanë për arratisjet.
“Është një deklaratë e cila tenton të eliminojë përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë në kohën kur qytetarët tentojnë të gjejnë fajtorin për vrasjen e të burgosurit, Faton Hajrizi në Serbi”, ka thënë Bytyqi.
Faton Hajrizi, 14 ditë pasi u arratis nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri, u vra nga policia serbe në Lloznicë të Serbisë, pas autoritetet serbe pretendojnë se ai ishte personi qe vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër, të enjten.