Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në tryezën ku është diskutuar për dhunën, ka thënë se prokurorët dhe gjyqtarët do të duhej të ishin në krye të detyrës për t’i luftuar rastet e dhunës, qofshin ato në baza gjinore apo edhe në familje.
Sipas saj, sa herë ka pasur raste të tilla të dhunës në familje, është parë dështimi i një hallke e shtetit.
“Më vjen shumë keq që gjyqtarët e prokurorët nuk janë sot me ne, pikërisht ata që do të duhej të ishin në krye të detyrës sidomos për luftimin e këtyre fenomeneve, qoftë të dhunës në baza gjinore apo të dhunës në familje e dhunës ndaj grave, sepse siç jeni në dijeni edhe rastet që i kemi pasur së fundmi, gjithnjë ka ndodhur një rast kur kemi parë dështimin e një hallke ndaj atyre rasteve dhe pjesën më të madhe ka qenë prokuroria apo në anën tjetër gjykatat me dënimet e vogla apo minimale ndaj rasteve të tilla”, është shprehur ajo.
Sipas saj, mbrojtësit e viktimave nuk janë lejuar të jenë prezent në këtë takim, dhe kjo për ministren Haxhiu është e pajustifikuar.
Ajo ka theksuar se për këtë veprim do të duhet të jepet përgjegjësi.
“Për më keq edhe mbrojtësit e viktimave që kanë qenë në zyrat e tyre nuk i kanë lënë që të vijnë në këtë takim pavarësisht se ata janë shërbyes civil, ata kanë pasur vullnet që të vijnë, por ata i kanë ndaluar dhe kjo është e pajustifikuar dhe për këtë duhet të jepet përgjegjësi”, shtoi ministrja.
I pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka deklaruar se nuk arsyetohen mosveprimet e organeve të drejtësisë në rastet e dhunës në familje, duke shtuar se dhuna gjykohet e dënohet.
Sipas tij, qeveria aktuale ka treguar veprimet konkrete kundër dhunës në baza gjinore e në familje.
“Këtë vit për herë të parë institucionet e Kosovës po i organizojnë 16 ditët e aktivizmit. Qeveria jonë ka treguar veprime konkrete kundër dhunës në baza gjinore e në familje. Pikërisht në ditën e hapjes së fushatës, një mësimdhënëse u vra barbarisht nga bashkëshorti i saj, brenda mureve të shtëpisë. Nuk mund të lejojmë që dhuna e këtillë brenda familjes të përsëritet. Përmes aktivizmit shoqëror e kemi obligim ta parandalojmë dhunën në familje. Duhet të dërgojmë mesazhin se dhuna gjykohet e dënohet”, ka thënë Kurti.