Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se emisarëve evropianë për dialogun Kosovë – Serbi, dhe shteteve të QUINT-it, ua ka propozuar pesë pika me anë të të cilave sipas tij do të ndodhë shtensionimi në veri të vendit.
Në lidhje me këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka cituar pikën e parë të letrës së Kurtit, ku thuhet se duhet të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët.
Haxhiu ka thënë se pas angazhimit të madh nga ana e Policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre.
Sipas saj, në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohen apo neglizhohen aktet kriminale të grupeve kriminale.
“Sulmet ndaj policisë, mediave apo anëtarëve të NATO-s dhe veprimet që cenojnë rendin kushtetues nuk duhet të normalizohen por të ndiqen e të dënohen. Disa nga pjesëtarët e grupeve kriminale janë në paraburgim, por janë edhe tre raste të personave të dyshuar që janë liruar në procedura të rregullta. Menjëherë dhe pa vonesa duhet të identifikohet secili kriminel, të ndiqen dhe gjykohen për veprimet e tyre kriminale”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, në një konferencë për media, të martën, kryeministri i Kosovës ka dhënë detaje për propozimin e tij pesëpikësh për daljen nga situata e tensionuar në veri.
Këto pesë pika, ai tha se ua ka propozuar ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak e kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
Pesë pikat e propozuara nga Kurti janë:
Sundimi i ligjit në 4 komuna në veri të Republikës së Kosovës të sigurohet /vendoset menjëherë duke përfshirë, ndër të tjera, identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore/të lidhura me gjykimin.
Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objekte komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet përkatësisht.
Policia e Kosovës dhe KFOR/EULEX do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë në mënyrë që të garantojnë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë dhe të mbështesin masat e RoL.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinojë të gjithë aktorët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lira, demokratike dhe të papenguar/liberale.
Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar të Brukselit. BE-ja siguron një plan të balancuar të renditjes për zbatimin e Marrëveshjes Themelore (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 Mars). Udhëheqësit e të dy shteteve takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave.
Pesë pikat e Kurtit të propozuara për uljen e tensioneve në veri