Haxhiu: Nuk e tërheqim nga Kuvendi Byronë për Verifikim e Konfiskim të Pasurisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk do ta tërheqë nga Kuvendi ligjin për konfiskimin e pasurisë.

Ajo bëri të ditur se të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias, do të përfshihen në mes të dy leximeve.

Sipas saj, është lajm i mirë që Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër projektligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Unë nuk pajtohem me ata që thonë se duhet të tërhiqet ky projektligj, të paktën në adresën time nga ka ardhur diçka e tillë, kam parë thirrje për zbatim që i janë bërë qeverisë që t’i adresojnë komentet e Venecias. Unë mendoj që thirrjet janë komplet legjitime dhe në linjë me qëndrimet tona si qeveri, askush nuk është i interesuar që të procedojë një projektligj për sa kohë nuk janë adresuar rekomandimet e Venecias”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se janë duke punuar që t’i plotësojnë të gjitha kriteret e Komisionit të Venecias, dhe t’i adresojnë ato në Komisionin për Legjislacion.

“Janë gjashtë rekomandime kryesore që na ka dhënë Komisioni i Venecias dhe janë disa të tjera që nuk janë edhe aq përmbajtësore, por janë të rëndësishme. Ne jemi të interesuar që secilin prej rekomandimeve që ka adresuar Komisioni i Venecias ta adresojmë bashkërisht në Komisionin për Legjislacion”, ka thënë ajo për KP.

Haxhiu ka folur edhe për kundërshtimin e Këshillit prokurorial që i ka kërkuar Avokatit të Popullit, ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, duke thënë se veprimet dhe deklaratat e tilla janë të pamatura.

“Mendoj që është një deklaratë e pamatur, mendoj që është komplet e paarsyeshme dhe nuk i takon Këshillit Prokurorial, si një institucion i rëndësishëm që të thërrasë për rezistencë, dhe nuk është shembull i mirë për qytetarët e Kosovës teksa ne i thërrasim ata që të zbatojnë ligje që nxirren nga Kuvendi në anën tjetër të kemi një instancë tjetër që thotë se nuk do ta zbatojë, aq më tepër kur KPK i mbikëqyr prokuroritë”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, nuk i takon KPK-së që të thërrasë për rezistencë dhe të bëjë thirrje për moszbatim të ligjeve që dalin nga Kuvendi.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika